Mançester Siti nuk mundi të shkëputej në krye të Premier Ligës nga ai që mund të quhet rivali i tij kryesor, Liverpuli. Të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop ia dolën në fushën e Kristël Palasit, në një ndeshje të Premier Ligës me shumë emocione, ku edhe vendasit patën mundësi të shënonin.
Salah humbi rast të pastër, Taunsend goditi traun e portës për vendasit, pastaj Salah fitoi penallti dhe Xhejms Milner shënoi në minutën e fundit të pjesës së parë. Në minutën e fundit të pjesës së dytë, Sadio Mane konkretizoi një kundërsulm të rrufeshëm, ndërsa londinezët luajtën për 15 minuta me 10 lojtarë, pas përjashtimit të Uan-Bisakës.
Kjo do të thotë se Liverpuli ka 6 pikë në dy ndeshje, po aq sa Siti, Totenhemi, Çelsi, Uatfordi dhe Bournmuthi. Formacioni i Guardiolës kryeson për shkak të golaverazhit 8-1 (+7), ndërsa Liverpuli është në 6-0 (+6). Edhe pse nënkampioni i botës, Dejan Lovren, mbetet i dëmtuar, mbrojtja liverpulase duket e fortë me dyshen e qendrës Van Dajk-Gomez, por edhe me mbështetjen nga mesfusha.
Për fat të keq, Xherdan Shaqiri nuk u aktivizua në këtë ndeshje, duke qenë në stol.
Sfidanti.al