Dhjetë ditë para debutimit zyrtar të Kristiano Ronaldos në Serinë A, në drejtimin e tij u bë provokacioni i parë nga ana ekipeve kundërshtare dhe rivale për titullin. Konkretisht, pronari i Romës, Xhejms Palota, hodhi “minën” e parë, fillimisht, duke e lavdëruar Ronaldon, ndërsa më pas, duke shprehur dyshimin për mundësitë që ai të dallohet në Serinë A.
”Kur mora vesh se Juventusi po blinte Ronaldon, thashë me vete se kjo është një gjë pozitive për Serinë A, por, në të njëjtën kohë, mendova se këtu, te neve, ai nuk do të jetë edhe aq efikas, pra të shënojë deri në 60 gola për sezon. Ai do të ketë probleme në Serinë A, sepse në të nuk shënohen aq lehtë golat”, deklaroi Palota, duke shtuar më tej, në formë shakaje, se nuk donte përgjigje nga Ronaldo.
Sfidanti.al