Futbollisti kroat, Luka Modriç, është një njeri i qetë dhe tërhequr, kështu që ai do ta kishte vështirë të orientohej në botën e futbollit të mbushur plot me hiena menaxherësh, po të mos ndodhej pranë tij një zagrebase bionde që, qysh fare e re më mirë njihte zyrat e “Maksimirit” (selia e Dinamos së Zagrebit) sesa ato të shtëpisë së vetë. Ajo quhet Vanja Bosniç dhe është bashkëshortja e menaxherja e Luka Modriçit, kritikja e tij dhe motori i karrierës së tij.
Vanja dhe Luka janë njohur, më 2007, vit, kur ajo punonte në agjencinë menaxheriale të personazhit sa të njohur, aq edhe kontrapedal të futbollit kroat, Zdravko Mamiç (ish-president i Dinamos së Zagrebit), kurse më pas ajo u largua nga kjo agjenci dhe u bë agjente personale e Luka Modriçit. Ajo ka meritën kryesore për ofertën e majme që erdhi te Dinamo e Zagrebit, me të cilën luante atëkohë Luka, nga Totenhemi.
Vanja është pesë vite më e madhe sesa Luka dhe ata të dy janë njohur në një kafene të Zagrebit, duke diskutuar për futbollin. Vanja ka shkuar që e vogël në zyrat e Dinamos në stadiumin “Maksimir”, pasi e ëma e saj ishte shefe e financave të klubit.
Ishte po Vanja ajo që siguroi kalimin e Luka Modriçit në kushte shumë të favorshme nga Totenhemi te Reali. Sikurse e thamë më lart, vetë Luka jashtë fushës është i urtë e i tërhequr dhe nuk është nga ata tipa njerëzish që hap konflikte, kështu që me siguri se mbas injorimit nga ana e tij të stërvitjeve me Realin, zgjatjes së pushimeve mbas Botërorit dhe mosvajtjes e tij bashkë me ekipin për fazën përgatitore në SHBA qëndron Vanja me “këshillat” e saj.
Thuhet se mbas mbarimit të Botërorit dhe shpalljes së Lukës si lojtari më i mirë i tij, Vanja e mori vetë në telefon Interin, duke ofruar shërbimet e tij. Vanja dhe Luka kanë dy vajza.
Sfidanti.al