E shtuna është ditë emocionesh të mëdha në Bundesligë, pasi Bajerni ndeshet me rivalin e cilësuar si kryesor, Dortmundin. Trajneri Karlo Ançeloti kishte shqetësim të madh pasi disa nga lojtarët kryesorë ishin me probleme, por duket se gjithçka po shkon siç duhet. Sulmuesi kryesor, Robert Levandovski, është kthyer tashmë në Mynih, pasi Federata Polake e Futbollit e vuri dorën në zemër dhe u bë zemërgjerë. “Leva” nuk do të luajë në mesjavë në miqësoren ndaj Sllovenisë, ndërsa të gjithë u trembën për shëndetin e tij pasi një fishekzjarr shpërtheu në këmbët e Robertit në stadiumin e Bukureshtit. Gjithsesi, Federata Polake i bëri nder edhe Dortmundit pasi i dha leje edhe Lukash Pishçekut.
Ançeloti, megjithatë, pati edhe lajme të tjera shumë të mira. Arjen Roben nuk pati ndonjë dëmtim të rëndësishëm në fitoren e Holandës në Luksemburg në eleminatoret e Botërorit. Kjo u mor vesh pasi doktori i Bajernit, Folker Braun bëri kontrollin e tij. Dy lojtarët e Gjermanisë, Manuel Nojer dhe Zherom Boateng, po ashtu nuk do të mungojnë në sfidën në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, edhe pse nuk luajtën në takimin në San Marino. Havi Martinez u kthye që këtë të hënë në Mynih, dhe po ashtu edhe Renato Sançez që u lodh shumë pak me Portugalinë duke luajtur vetëm 3 minuta. Mbetet të shihet vetëm nëse Holger Badshtyber do t’ia dalë apo jo.
B. Kuka