Gjermania fitoi 8-0 në fushën e blertë ndaj San Marinos, por e humbi betejën jashtë saj. Dy prej figurave kryesore të kombëtares gjermane, Tomas Myler dhe Karh Heinze Rummenigge, kanë mbajtur një qëndrim absurd kur kanë thënë se “San Marino nuk ka asnjë lidhje me futbollin profesionist”. Nuk kuptojmë, – vijojnë gjermanët, sensin e ndeshjeve të tilla, mbi të gjitha me këtë kalendar kaq të ngjeshur. E mirëkuptojmë faktin se për San Marinon është diçka e veçantë të luash ndaj Kampionëve të Botës, dhe e vetmja mënyrë sesi ata mund të na ndalin janë ndërhyrjet e ashpra. Këto janë rreziqe të kota, – përfundon Muller.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të zyrës së shtypit të San Marinos, Alan Gasperoni, i cili përmes një postimi në Facebook, ka renditur 10 arsye se pse ndeshje të tilla janë shumë të dobishme. Mes rreshtave Gasperoni thote se futbolli nuk është në pronësi të Gjermanëve, por e të gjithë atyre që e dashurojnë këtë sport. Gasperoni shprehet se gjermanët nuk do të ndryshojnë kurrë dhe se nuk kanë mësuar ende që arroganca nuk është garanci për fitoren.
Alan Gasperoni e mbyll letrën e tij duke thënë se “kjo ndeshje e ka bërë atë të kuptojë që edhe pse futbollistët gjermanë veshin uniformën më të bukur që mban logon e Adidasit, në thelb mbeten ata persona që veshin sandalet me çorapet e bardha”.