Kualifikim historik i Laçit në Europë, kurbinasit mundin Anorthosisin!

Nuk ishte aspak favorit, por ia doli. Laçi luajti ndeshjen, ndoshta, më të madhe të historisë së tij të shkurtër në Europë, duke arritur një kualifikim emocionues. Skuadra shqiptare jepej si pa shpresë përballë ekipit qipriot, Anorthosis, por me një lojë kolektive, si edhe me fat, ia arriti qëllimit.

Kaloi në turin e dytë eleminator të Ligës së Europës, kundër çdo parashikimi, falë suksesit 1-0 arritur me gol të shënuar dy minuta para fundit. Qipriotët e kishin fituar 2-1 ndeshjen e parë, dhe Laçi u kualifikua me gol në fushë kundërshtare.

Skuadra nga Qipro e nisi më mirë ndeshjen, duke treguar cilësinë e saj më të lartë, edhe pse i mjaftonte edhe barazimi. Krijoi disa mundësi, sidomos në pjesën e parë, por nuk arriti të konkretizonte dhe kjo e ndëshkoi. Formacioni vendas, i drejtuar nga trajneri Besnik Prenga, u mbrojt fort dhe u përpoq të kundërsulmonte, duke pritur rastin e duhur.

Ky rast i erdhi në fund, dhe Laçi arriti kualifikimin e dytë të tij në Ligën e Europës, pas atij të vitit 2015 ndaj ekipit slloven, Rudar. Ky sukses siguroi 500 000 euro për arkat e klubit, ndërsa kundërshtari i turit të dytë do të jetë skuadra Molde nga Norvegjia.

Sfidanti.al