Trajneri i përfaqësueses ruse, Stanislav Çerçesov, do të shpërblehet, pasi “zbornaja” bëri një paraqitje të mirë në Kupën e Botës, të organizuar nga Rusia, pavarësisht se në ndeshjen çerekfinale ajo u eliminua nga Kroacia mbas serisë së penalltive. Federata e Futbollit të Rusisë (RFU), sikurse bën të ditur gazeta “Sport Ekspress”, do ta shpërblejë Çerçesovin, duke e ngarkuar atë që ta drejtojë përfaqësuesen e Rusisë jo vetëm deri në kampionatin evropian 2020, por edhe deri në Botërorin e ardhshëm, më 2022, në Katar.
Sikurse duket, krerët e federatës ruse janë të kënaqur me punën e Çerçesovit që arriti ta çojë Rusinë që në fillim kishte një ekip mesatar, deri në fazën përmbyllëse të kampionatit botëror, duke zhvilluar pesë ndeshje (dy fitore kundër Arabisë Saudite e Egjiptit, fitore me penallti ndaj Spanjës, humbje në kohën e rregullt nga Uruguai dhe humbje me penallti në çerekfinale nga Kroacia).
Sfidanti.al