Anglezët ngrejnë në qiell një femër për suksesin e kombëtares

Quhet Pipa Grejnxh (Grange), është me titull Doktore e Shkencave, dhe specialiteti i saj është psikologjia. Prej një viti kjo grua është pjesë e stafit teknik të kombëtares së Anglisë, dhe emërimi i saj u bë për të përmirësuar aftësinë e lojtarëve që të përballonin trysninë maksimale që zakonisht ka një Kupë Bote.

Specialistja 47-vjeçare ia doli për bukuri dhe mediat britanike shkruajnë se lojtarët e vlerësojnë shumë ndikimin e saj në suksesin e tyre. Trajneri Sauthgejt paska bërë pra, edhe një “goditje tjetër në shenjë”. Ai e ka ditur mirë nga përvoja sesa delikate ka qenë Anglia ndaj presionit, për dekada me radhë, duke mos pasur dot traditën e suksesit të Brazilit, Gjermanisë apo Italisë.

“Ajo ka bërë një punë të madhe me ne, është një person i mrekullueshëm, – thotë Dele Ali, – ajo punon kaq shumë dhe gjithkush e kupton sesa kompetente është ajo në punën e saj. Ajo di çfarë thotë dhe na ka ndihmuar shumë”.

Sfidanti.al