Erdhën me frikë dhe ikën të lumtur. Ku do të gjendej një vend tjetër, ku Izraeli të na gjunjëzonte para ndeshjes dhe të na turpëronte gjatë ndeshjes. Ajo që ndodhi këtë herë, ku shpërfillëm dhe sfilitëm përsëri tifozët tanë, tregon se ndeshja jonë e madhe luhej në prapaskenë, me një emër të njohur “inferioriteti me të huajt”. Një situatë që kapërceu orbitën sportive, ndërsa flitej për agjentura dhe për mundësinë e një akti terrorist, por në fund e kuptuam se “terrori” më i madh ndodhi në fushë. Drama nuk vjen nga 3 golat e pësuar, sepse në futbollin e sotëm, portat nuk janë gjithnjë 7 metra, por hapen e mbyllën sipas muzikës.
Kujtoni ndeshjen me Spanjën, kur të gjithë u ngujuan pranë “shtëpisë së Berishës” dhe as kokën nuk nxorrën në dritare. Një rekord më vete, asnjë kalim mesfushe. Kjo me Izraelin ishte ndryshe. Përsëri rekorde, po në sensin negativ. Edhe kur mbetëm me 9 vetë në fushë, trrajneri De Biazi frymëzonte lojën sulmuese deri në iluzion, duke u bërë një dhuratë miqve kur largoi Hysaj dhe futi Çanin. Pyetja, në ato momente, ishte e helmatisur: duam të shënojmë, apo t’i “nderojmë” deri në fund miqtë? Në shtypin e huaj merr një përgjigje për këtë pyetje: “ Edhe De Biazi i bëri më të lumtur ata me ndërrimet që bëri..”