Për fat, trajneri Sauthgejt nuk mendon si disa media angleze

Garet Sauthgejt u shpreh me kujdes se Anglia po fillon të ndihet si pretendente në këtë Botëror, pas fitores 6-1 ndaj Panamasë. Trajneri, i ardhur në majë të gishtave në përfaqësuese, por që po bind gjithnjë e më shumë, mund të quhet “aseti” më i vlefshëm i kësaj Anglie, për thjeshtësinë e tij, diçka që të kujton sjelljen e trajnerëve të Gjermanisë.

Trajneri e di se skuadra e tij është tepër e re për t’u proklamuar me “hosana” si pretendente e sigurt për Kupën e Botës. Po ashtu, e di nga përvoja se Anglia e ka pasur shumë të vështirë në turnetë e mëdhenj edhe kur ka pasur skuadra të shkëlqyera si në 1982, 1986, 1990, 1998 apo 2006. Brazili, Gjermania apo Italia, disa herë Argjentina, dhe vitet e fundit Franca e Spanja, kanë qenë pretendentet e vërteta.

Është fat për Anglinë që trajneri nuk mendon si disa media që e kanë ngritur në qiell ekipin e tyre pas fitores ndaj një kundërshtari tepër të lehtë. “Tre luanët” kanë luajtur ndaj Tunizisë e Panamasë, jo ndaj Meksikës, Kroacisë, Portugalisë apo Zvicrës.

Sfidanti.al