Më në fund një fjalë prej Mesi: Nuk iki pa Kupën e Botës

Lionel Mesi ka marrë kritika të shumta këtë Botëror dhe besohet me të drejtë. Ylli më i madh i rruzullit nuk ka mundur ta udhëheqë Argjentinën, e cila është në prag të eleminimit, por gjithsesi, pas dy zhgënjimeve radhazi, prej tij vijnë disa fjalë të denja për statusin që ka. “Nuk do ta lë futbollin dhe përfaqësuesen pa fituar Kupën e Botës”, – mësohet të ketë thënë legjenda e Barcelonës, si përgjigje për kritikat dhe për aludimin se kjo është mundësia e tij e fundit për t’ia dalë.

Mesi do të jetë 35 vjeç në Kupën e ardhshme të Botës në Katar, një moshë aspak e përshtatshme për një futbollist, veçse mesa duket, ai do të provojë të ecë në gjurmët e Maradonës që shkëlqeu në 1994, në Botërorin e SHBA-së, ndonëse më pas doli pozitiv në kontrollin antidoping.

Argjentinasit, ndërkaq, presin që Mesi të udhëheqë skuadrën tani për të mundur Nigerinë dhe për t’u kualifikuar për në turin e dytë të Botërorit, pra për ta fituar titullin këtë vit.

Sfidanti.al