Hames, Kuadrado, Mina, Falkao, talenti i Kolumbisë “verbëron” Botërorin

Tjetër ndeshje me gola dhe me epërsi të qartë. Shumëkush ia kishte frikën një dështimi të Polonisë, pas lojës së dobët ndaj Senegalit, si dhe rikthimit të Kolumbisë së pafat kundër Japonisë. Ndodhi pikë për pikë kështu, me amerikanojugorët që triumfuan 3-0 dhe me polakët, që u bënë skuadra e parë e eleminuar nga Europa në këtë Botëror.

Me rikthimin në fushë të Hames Rodrigezit, dhe me barazi numerike me kundërshtarin, skuadra e trajnerit Pekerman nuk e diskutoi fitoren, arritur me golat e shënuar nga Jerri Mina, Radamel Falkao dhe Huan Kuadrado. Një ekip vërtet shumë i talentuar, pasi në stadiumin e Jekaterinburgut krah për krah ishin ylli i Bajernit, Hames Rodrigez, ai i Juventusit, Kuadrado, sulmuesi i shquar i Monakos, Falkao dhe mbrojtësi i talentuar i Barcelonës, Mina.

Përballë tyre nuk pati asnjë shans një Poloni më shumë e lodhur sesa e plakur, brezi i së cilës e ka kaluar me kohë kulmin e vet. Edhe ylli më i madh i polakëve, Robert Levandovski, nuk mundi të bënte gjë i vetëm, i izoluar nga mbrojtësit kundërshtarë, dhe i ndaluar nga portieri Ospina.

Kolumbia i dha shpresë vetes me këtë fitore, duke qenë me 3 pikë, vetëm 1 pikë pas Japonisë dhe Senegalit. Problemi i vetëm për kolumbianët është që ndaj senegalezëve u bën punë vetëm fitorja.

Sfidanti.al