Do të jetë Ljuis Hamilton që do të niset i pari në Çmimin e Madh të Brazilit në Formula 1. Kampioni i botës në fuqi realizoi kohën më të mirë dhe arriti vendin e parë në provat zyrtare, duke lënë pas rivalin e madh, kryesuesin e Botërorit, Niko Rosberg.
Anglezi dha kohën fantastike 1’10”736, ndërsa Rosberg nuk është se mbeti larg. Gjermano-suedezi mbërriti në finish me një të dhjetën e sekondit më shumë (1’10”838). Kjo do të thotë se pritet një tjetër duel i madh në pistën e shkëlqyer dhe të vjetër të Interlagosit.
Rosberg del kampion i botës nëse fiton, Hamilton mbetet me shpresë nëse fiton, në pritje të Çmimit të Madh të fundit në program, atij në Abu Dabi në 27 nëntor. Rosberg ka 349 pikë në krye të renditjes, Hamilton e ndjek me 19 pikë më pak (330).
Pas dyshes së Mercedesit u rendit Raikonen i Ferrarit (+7 të dhjetat) dhe Verstapen i Red Bullit, të ndjekur nga Fetel po i Ferrarit dhe Riçardo i Red Bullit. Fetel, katër herë kampion i botës, ishte 8 të dhjetat prapa Hamiltonit.
B. Kuka