Që Shqipëria ishte ende një skuadër e vogël këtë duhej ta kishim të qartë, por që të dukej kaq “fëmijë” ndaj Izraelit, këtë vetëm në përfundim të kësaj ndeshjeje e morëm vesh. Kombëtarja nuk pati as lojë, as fat dhe pra, as shpresë, duke u mundur krejt logjikisht, 0-3 me Izraelin brenda në fushën e saj, në një mbrëmje të zezë për lojtarët, tifozët dhe trajnerin Xhani De Biazi.
Një moment i mallkuar që në fillim duket se kushtëzoi shumë, sidomos për një ekip që nuk është mësuar ende ta quajë veten pretendente dhe të luajë si e barabartë me të tjerët. Një ndërhyrje e pakujdesshme e Gjimshitit, karton i kuq për të, dhe penallti e kthyer në gol nga Zahavi.
“Shah-Mat” edhe pse ndeshja nuk kishte përfunduar. Me një lojtar më pak, kombëtarja mbajti topin në zotërim, por nuk pati aksione dhe ishim me fat që e mbyllëm me 0-1 pjesën e parë.
Në të dytën, çmenduria e dytë. Penallti e dytë, e dyshimtë për Izraelin, me sinjalizim shumë të vonshëm të anësorit, dhe me Etrit Berishën që “e la mendja vetëm” duke harruar profesionistin. Goditje me kokë ndaj kundërshtarit dhe karton i kuq.
Me 9 lojtarë në fushë menduam se mund ta bënim mrekullinë kur Alban Hoxha tregoi edhe një herë sesa i zoti është tek penalltitë, duke ndalur Zahavin. Nuk qe e thënë. Izraeli shënoi fillimisht golin e dytë me anë të Ainbinderit, dhe 7 minuta para fundit erdhi edhe rrjeta e tretë, me autor Atarin.
Ndeshje dhe shifra jo të denja për një ekip që mendonte kualifikimin për në Botëror, dhe që duhet të ridimensionojë vetveten. Në fund të fundit, futbolli është i tillë. Me fitoret edhe të Spanjës (4-0 me Maqedoninë) dhe të Italisë (4-0 ndaj Lihtenshtajnit) jemi në vend të katërt, me 4 pikë largësi me kreun, dhe 3 pikë nga Izraeli i vendit të tretë. Shanse për kualifikim, matematikisht ende ka, por a beson kush se mund t’ia dalim?
B. Kuka