Ndonjëherë ndodh dhe fiton respektin më të madh. Antuan Grizman refuzoi të bënte një hap tepër të madh në karrierë, të shkonte tek Barcelona, dhe vendosi të mbetej besnik i Atletikos së Madridit. Sulmuesi francez e bëri me dijë vendimin e tij “në ajër”, pra nëpërmjet mediave elektronike (në rrjetet sociale), me anë të një dokumentari të bërë vetë.
“Tifozeria ime, skuadra ime, shtëpia ime”, ishte komenti i tij në tri gjuhë (spanjisht, frengjisht, anglisht), koment që shoqëronte videon e postuar në Tuiter. Grizman u shpreh se ishte këshilluar me njerëzit e tij të afërm përpara sesa të merrte vendimin. “Babai më tha se nëse shkoja tek Barcelona do të bëhesha një nga lojtarët e shumtë aty, ndërsa motra më tha të kundërtën, se nëse qendroja tek Atletiko nuk do ta fitoja kurrë Championsin”, – zbuloi ai.
Grizman ishte bindur te mbetej tek Atletiko pas fitores së Ligës së Europës, por pastaj ndryshoi mendje sërish pasi një pjesë e tifozëve e vërshëllyen. Përfundimisht, e qetësoi dhe e bindi trajneri Simeone. Morali i kësaj historie është që ekzistojnë në këtë botë lojtarë që nuk thonë përmendësh “ëndërroja që fëmijë të luaja me Barcelonën”, ose “ëndërroja që fëmijë të luaja me Realin”.
Sfidanti.al