Çfarë ka të përbashkët Botërori i vitit 1938 me këtë tani? Faktin e habitshëm që asnjë arbitër anglez nuk ka arbitruar dhe nuk do të arbitrojë në ta. Pas plot 80 vitesh ndodhi që shpikësit e futbollit të mos kishin përfaqësuesin e tyre në finalet e Kupës së Botës, një goditje tjetër e rëndë për nderin britanik.
FIFA kishte vetëm një emër anglez në listën e saj për në Rusi, Mark Klatenburgun, gjyqtarin e shquar 43-vjeçar që drejtoi në karrierë ndeshje të rëndëishme, si finale Championsi, finale të Kupës së Anglisë si dhe finalen e Euro 2016-ës fituar nga Portugalia ndaj Francës. Klatenburg vendosi të shkonte në detyrë tjetër në Arabinë Saudite, dhe Anglia nuk u lejua të zgjidhte një zëvendësues.
Mungesa përbën një lajm të madh pasi arbitrat anglezë kanë qenë ndër më të shquarit në Kupat e Botës. Tri herë ata drejtuan finalet, diçka që mund të mburren se e kanë bërë vetëm italianët.
Në 1954, Uilliam Ling drejtoi finalen Gjermani Perëndimore-Hungari, në 1974 ishte Xhek Tejlër që ndau drejtësinë në finalen Gjermani-Perëndimore-Holandë, ndërsa Hauard Ueb mori përsipër detyrën e vështirë në finalen e 2010-ës, Spanjë-Holandë.
FIFA tashmë ka përfunduar përgatitjet e arbitrave që do të drejtojnë në Rusi dhe aty ka nga Europa, Afrika, Azia dy kontinentet amerikanë si dhe nga Oqeania, por jo nga Anglia.
Gjithsesi, ishulli do ta ketë një përfaqësues në Kupën e Botës, edhe pse jo zyrtar. Gjyqtari anglez, Martin Atkinson, do të përshkojë me biçikletë distancën prej mbi 2 700 km për të mbërritur në Kaliningrad, aty ku Anglia luan ndeshjen e fundit në grup ndaj Belgjikës në 28 qershor. Atkinson shkon në Botëror për bamirësi.
Sfidanti.al