Do të fillojë sot “Katërshja Finale” e Euroligës në basketboll për meshkuj dhe do të luhen gjysmëfinalet në “Arenën” e shkëlqyer të Beogradit. Salla me mbi 20 000 vende të ulura do të presë dy duele të veçantë, ku tërheq vëmendjen sidomos ai që do të luhet në orën 20:45, CSKA e Moskës përballë Realit të Madridit.
Pa i hequr asnjë fije respekti duelit tjetër Fenerbahçe-Zhalgiris (18:00), ai i mbrëmjes është finalja e finaleve të Euroligës, klasikja më e madhe e Europës që kur nisi Kupa e Kampionëve në 1958. Reali ka fituar 9 tituj e CSKA-ja ka 7, duke qenë dy skuadrat udhëheqëse në të gjithë kontinentin.
Parashikimet i japin një avantazh të lehtë skuadrës ruse e cila ka qenë më e mira e fazës së rregullt (24 fitore, 6 humbje ndaj 19 fitoreve, 11 humbjeve të Madridit). Bëhet fjalë për dy ekipet më sulmues të sezonit dhe që kanë në përbërje lojtarë të shkëlqyer. Moskovitët kanë Nando De Kolonë (vjen nga dëmtimi), Kori Higinsin e Sergio Rodrigezin, amerikanët e tjerë Klajbërn, Hanter e Hajns, si dhe rusët Voronceviç, Antonov, Frixhon apo Kurbanov.
Madrilenët mbështeten më shumë tek ylli i ri, Luka Donçiç, që pritet të kalojë në NBA, ndërsa kanë edhe “kolona” të tjera si Sergio Jul, Entoni Randolf, Gustavo Ajon, Xhejsi Kerrëll apo Felipe Rejes.
Bilanci në total me dy ekipeve është thellësisht në favor të rusëve që kanë fituar 28 ndeshje e kanë humbur 16, në 44 takime gjithsej që nga sezoni 1962-1963. Dy trajnerët, ndërkaq, Dhimitri Itudis i CSKA-së dhe Pablo Laso i Realit duan të fitojnë Euroligën për herë të dytë.
Në fuqinë financiare, po ashtu kryeson klubi moskovit që besohet se ka buxhet 36.5 milionë euro, ndaj 27 milionë eurove të Realit apo 25 milionë të gjysmëfinalistes tjetër, Fenerbahçes së Stambollit, kampione e Europës në fuqi.
Sfidanti.al