Pep Guardiola hodhi në letër firmën që e lidh edhe më tej me Mançester Sitin dhe u shpreh i lumtur për vazhdimësinë. “Është një kënaqësi të punosh këtu, – ishin fjalët e trajnerit, pasi rinovoi në krah të drejtuesve Soriano e Begiristain, – jam i lumtur dhe i emocionuar”. Kontrata e vjetër e katalanasit përfundonte 12 muaj më vonë, ndërsa e reja e mban në “Etihad” deri në 2021.
Kënaqësia për të punuar tek Siti e Guardiolës kuptohet fare lehtë kur merr vesh se rroga e tij u rrit nga 15 në 20 milionë paund stërlina, pra në mbi 23 milionë euro, besohet rroga më e madhe e një trajneri në Europë. Po ashtu, Pepi ka kënaqësi që punon në një klub të tillë që mund të shpenzojë qindra milionë euro për të forcuar skuadrën, pa problemin më të madh.
Aftësia profesionale e Guardiolës ishte shumë e rëndësishme në fitoren e Premier Ligës dhe të Kupës së Ligës në Angli, por po ashtu edhe motivimi financiar dhe cilësia e skuadrës në dispozicion. Planet janë për shpenzime edhe më marramendëse për të synuar njëkohësisht titullin në Angli dhe Championsin.
Sfidanti.al