Mekinro: Trampi më ofroi  1 milion dollarë që të luaja kundër Serena Uiliamsit!

Legjenda amerikane e tenisit dhe ish-nr. në botë Xhon Mekinro bëri një pohim interesant në emisionin “In Depth with Graham Bensinger” të Bi-Bi-Si-së. Ai deklaroi se, para shumë vitesh, Donald Trampi në cilësinë e promotorit i kishte ofruar atij një milion dollarë që ai të zhvillonte një ndeshje kundër Serena Uiliamsit ose motrës së saj, Venus. “Mora një letër nga Trampi që, atëkohë, ishte promotor dhe askujt nuk i shkonte ndërmend se një ditë ai do të bëhej president i SHBA-së. Ai ishte ndoshta rasti më i çuditshëm në historinë e SHBA-së. Në atë letër, ai më shkruante se do të më jepte mua një milion dollarë për një ndeshje kundër Serenës ose Venusit. Kurrë në jetë, mua nuk më ka shkuar në mend që të luaja me ndonjë femër, prandaj edhe e refuzova ofertën e tij”, tha tenisti legjendar amerikan. Sa u përket shanseve që ai do të kishte, atëkohë, në ndeshjen kundër Serenës, nëse do të pranonte të ndeshej me të, Mekinro tha:

“Sot, nuk jam aq i sigurt sa atëkohë, se do të fitoja, sepse tani unë jam më i moshuar. Por, në atë kohë, unë nuk kisha asnjë dyshim, sepse ishta nr.1 në botë, pra, nuk isha tenist i keq.  Por, sidoqoftë, fëmijtë e mi nuk besojnë se unë do të mund të fitoja kundër Serenës. Shikoni, as fëmijtë e mi nuk janë në anën time”, tha duke qeshur Mekinro.

Sfidanti.al