Hamdi Salihi ka këmbët e arta dhe fjalët e pakëta, një kombinim i lakmuar nga shumë profesionistë. Kur flet ai, meriton të dëgjohet me vemëndje, aq më shumë për izraelitët e futbollit,në kampionatin e të cilëve ka luajtur, ndersa për ne është një mister. Fjalët e tij i vënë kapak shumë deklaratave fishekzjarre, që dëgjohen hera herës nga kampi kuqezi:
“ Izraeli është një ekip i rrezikshëm dhe nuk duhet të bëni dramë nëse ndeshja del barazim”. Do ta puthte në ballë edhe De Biazi, sulmuesin shkodran , nëse do të merrnim një barazim, po le të presim që lutja të dëgjohet edhe lart në qiell.
Dikush tjetër, i përzënë, pa elegance dhe me mungësë mirënjohje nga Kombëtarja, as nuk do të merrte mundimin të paralajmëronte rrezikun para ndeshjes. Salihi është ndryshe: njeri i golave të përveçëm, një shpirt që pasuron familjen e futbollit. I mësuar, por më shumë i edukuar, të flasë pak, nuk thotë dot më shumë: “ Putheni fort barazimin”. Duhet ta kuptojmë vetë, se ata janë më të fortë se ne fushë. Më mirë që Salihi nuk flet me marshin e tretë, ndryshe, fjala e tij do të kishte mberritur tek trajneri italian dhe, fap… do të nxirrte nga “parkingu” autobuzin e lodhur, që e vëmë para portës.