Amerika ka qenë dhe mbetet “Meka” e boksit profesionist dhe në truallin e saj janë ndeshur kampionët më të mëdhenj (me përjashtim të disa dueleve të Muhamed Aliut, apo të Manu Pakiaos). Gjithsesi, “fenomeni” i ri i peshave të rënda, Entoni Xhoshua, sikur po e thyen këtë rregull.
Tri ndeshjet e tij të fundit janë zhvilluar në stadiume, duke i mbushur ata plot. Si fillim, pati 75 000 në Stadiumin e Kardifit në sfidën ndaj Takamit, më pas arriti kulmin me 90 000 spektatorë në “Uembli” në supersfidën ndaj Vladimir Kliçkos, ndërsa suksesi i fundit, ai ndaj Parkerit, u arrit sërish në Kardif, këtë herë në prani të 78 000 tifozëve.
Rivali i tij i vetëm i mbetur, amerikani Diontej Uajlder, i ka zhvilluar ndeshjet në SHBA, por ka arritur të grumbullojë vetëm 42 000 njerëz gjithsej në to. Xhoshua kurrë nuk ka vënë këmbën në Amerikë për të boksuar, dhe pritet që Uajlder të vijë në “Uembli” për ndeshjen e unifikimit të titujve. Anglezi ka katër breza, ndërsa amerikani ka vetëm atë WBC.
Sfidanti.al