Mercedesi ka gati kontratën “faraonike” për Ljuis Hamiltonin

Plot 45 apo 50 milionë euro nuk janë aspak gjë e vogël, dhe as Mesi apo Ronaldo nuk i marrin sot. Gjithsesi, kjo është rroga që Mercedesi i premton Ljuis Hamiltonit që ai të mbetet me skuadrën gjermane edhe më tej. Kampioni i botës në Formula 1 hyn në sezonin e rid he njëkohësisht në vitin e tij të fundit të kontratës së vjetër, diçka që mesa duket do të marrë fund.

“Hamiltoni është piloti më i madh i këtij brezi, – thotë shefi i skuadrës, Toto Volf, – natyrisht, ne do të bëjmë gjithçka që ai të mbetet tek ne, ndonëse Ferrari mbetet një gjë tërheqëse për çdo pilot (Ljuis nuk ka qenë kurrë tek Ferari)”. Kontrata e re mes palëve, nëse do të firmoset, vlen deri në 2020.

Gjithsesi, për 33-vjeçarin kryesore është ajo që pritet të ndodhë në pistë. Ferrari ka qenë shumë i shpejtë në prova, por Ljuisi ka prerë shkurt duke thënë se “prisni sa të vijë Melburni”. Në Melburn, të dielën e ardhshme, zhvillohet Çmimi i parë i Madh i sezonit të ri.

Hamilton doli kampion i botës vjet, duke fituar titullin e katërt në karrierë, po aq sa Sebastian Fetel, ndërsa synimi është që të barazohet me legjendën argjentinase, Huan Manuel Fanxho, që ka fituar 5 tituj botërorë në Formula 1.

Sfidanti.al