Van der Sar: Ronaldo stërvitej si i “çmendur”, s’më linte të ikja në shtëpi!

Puna e palodhur dhe këmbëngulëse është ajo që e ka bërë Kristiano Ronaldon një nga futbollistët më të mirë në botë. Pesë herë fituesi i “Topit të artë”, me çdo sezon që kalon, thyen rekorde të ndryshëm, ndërkohë që sekreti i suksesit të tij qëndron tek orët e gjata që ai ka kaluar dhe kalon në stërvitje, duke i kushtuar një vëmendje të madhe çdo elementi të lojës së tij. Midis bashkëlojtarëve, të cilëve u ka bërë një përshtypje të madhe përkushtimi i tij, është edhe ish-portieri i Mançester Junajtidit Edvin van der Sar që deklaroi, së fundmi, se Ronaldo stërvitej si “i çmendur”.

“Kur, më 2005, unë erdha te Mançester Junajtidi, gjeta atje dy futbollistë të rinj që stërviteshin si ‘të çmendur’, Uein Runi dhe Kristiano Ronaldo. Sidoqoftë, edhe midis tyre mund ta bëje dallimin, sepse Ronaldo kishte një nivel më të lartë, kur ishte fjala për stërvitjen individuale. Më kujtohet se, mbas çdo seance stërvitore intensive me ser Aleks Fergusonin, Ronaldo më lutej mua që të qëndroja edhe pak kohë mes dy shtyllave që ai të gjuante. Unë i thosha që të merrte ndonjë portier nga ata të ekipeve të të rinjve, por ai donte me ngulm që në portë të qëndroja unë. Donte që të stërvitej, pikërisht, kundër meje”, tregon portieri legjendar holandez.

Sfidanti.al