Pesë arsyet se përse Murinjo duhet të largohet nga “Old Traffordi”

Qëkur Sevilja e eliminoi Mançester Junajtidin që në 1/8-tën e Champions-it, tifozët e “djajve të kuq” kanë nisur të kërkojnë largimin e trajnerit Zhoze Murinjo që shumëkush e konsideroi si shpëtimtar të klubit, mbas dy sezoneve të këqia, pasi Aleks Fergusoni doli në “pension”. Murinjo u ul në stolin e drejtimit të  Junajtidit, më 2016, dhe vitin e kaluar solli në “Old Trafford” kupën e Ligës së Evropës. Gazeta “Daily Mirror” publikon pesë arsyet që një pjesë e kryesisë së klubit të Junajtidit konsideron se përse duhet të ndërpritet bashkëpunimi me Murinjon, por, sidoqoftë, në të nuk bën pjesë drejtori ekzekutiv, Ed Uduord, që vazhdon të ketë besim te trajneri portugez.

1.Futboll i keq. Drejtorët e Junajtidit konsiderojnë se loja në mbrojtje dhe jo e bukur e ekipit mund t’i largojë sponsorët dhe tifozët. Ata mendojnë se ky lloj futbolli nuk i shkon për shtat Mançester Junajtidit, ndërkohë që rivali i qytetit. Mançester Siti, momentalish, po luan futbollin më të pëlqyer në Angli.

  1. Imazh i keq për klubin. Ed Uduordi është përpjekur t’i bindë anëtarët e bordit të drejtorëve të klubit se Murnjo është një trajner mjaft i pjekur dhe se nuk ka asnjë problem me temperamentin e sjelljen e trajnerit portugez, por ka nga ata drejtorë që mendojnë se ai (Murinjo) ka një ndikim të keq tek imazhi i klubit. “Opozita” në kryesinë e klubit konsideron se Murinjo hyn, pa qenë nevoja, në grindje me rivalët dhe, hërë pas here, ofendon lojtarët dhe tifozët.
  2. Ekip i pafuqishëm me 400 milionë për përforcimet. Ekipi, në fakt, nuk është i fuqishëm, ashtu sikurse pritej, pasi në të u investuan 400 milionë euro suplementare. Problemi nuk është se ai nuk po arrin rezultate, por të dhëmbë fakti se ekipi, në përgjithësi, nuk është bërë më i mirë sesa ai i sezonit të parë nën Murinjon.

4.Futbollistë të pakënaqur. “Ne nuk jemi të kënaqur”, thotë një lojtar i papërcaktuar nga dhoma e zhveshjes, duke theksuar se janë prishur marrëdhëniet në këtë dhomë. Murinjo ka treguar me gisht disa lojtarë që, sipas tij, i kanë kthyer atij kurrizin. Disa nga lojtarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre se Murinjo, fillimisht, nxitoi të shkonte në dhomën e zhveshjes së ekipit kundërshtar (Seviljes) që ta përgëzonte atë për kualifikimin në çerekfinale, në vend që të vinte në dhomën e vet të zhveshjes që të ngushëllonte lojtarët e vet!

 5.Murinjo në sezonin  e dytë gjithnjë ka qenë i shkëlqyer, por… Në të gjithë klubet, ku Murinnjo ka punuar deri tani (Porto, Çelsi, Inter, Real i Madridit), rezultatet më të mira ai i ka arritur në sezonin e dytë të mandatit të tij, ndërkohë që, në atë të tretin, si “rregull”, nis “shpërbërja e sistemit” të ekipit! Junajtidi, në sezonin e dytë nën Murinjon, nuk ka fituar asgjë, u eliminua nga Champions-i, ndërkohë që nuk ka shans që të fitojë Premier Ligën, kështu që drejtorët e bordit të klubit nuk janë të bindur se në sezonet e ardhshëm situata do të përmirësohet, përkundrazi kanë frikën e së kundërtës.

Sfidanti.al