PSZH-ja po i “shkel me këmbë” të gjithë në ndeshjet brenda Francës, por objektivi kryesor i klubit francez, kupa e Champions-it, vazhdon që të mbetet akoma një ëndërr e parealizuar, të paktën, gjatë këtij sezoni, pasi Reali e “nxori nokaut” ekipin francez, duke e mundur atë në të dy ndeshjet (3-1,1-2) dhe duke u kualifikuar për në çerekfinale të konkurrimit më elitar evropian.
Por, sidoqoftë, ky nuk është problemi ose sfida e vetme e “të shenjtëve” dhe e pronarëve të klubit francez, pasi po shkruhet, gjithnjë e më shpesh, për pakënaqësinë e Nejmarit dhe dëshirën e tij për t’u larguar nga Franca vetëm mbas një viti. Kështu duket se kjo është arsyeja që njeriu nr.1 i PSZH-së, sheiku Naser Al Kelaifi, dhe drejtori sportiv Antero Enrike vendosën që të udhëtojnë për në Brazil, me qëllim që t’i zgjidhin të gjitha dilemat, në radhë të parë, të shohin nga afër gjendjen e Nejmarit që po rimerr veten dhe të dëgjojnë nga goja e tij lidhur me të ardhmen e tij.
Në media, ka pasur informacione që e lidhin Nejmarin me Realin e Madridit, ndërkohë që, ditët e fundit, ka pasur edhe lajme se ai vetë dëshiron që të kthehet te Barcelona, pasi mendon se ka bërë gabim që iku te PSZH-ja, verën e kaluar.
Sfidanti.al