A ka marrë fund love story i Partizanit me Starovën, apo do të përjetojmë një nga serialët e radhës? Në “filmin” e pabesë të futbollit shqiptar, ku dashuritë dhe intrigat e fryjnë dhe e shfryjnë topin e futbollit sipas një cikli krejt shqiptar , të gjithë jemi të pafuqishëm të themi fjalën e fundit. Ndaj edhe fjalët e Starovës se “ kisha mbi 30 vite në atë klub dhe kam patur një pakt me presidentin Demi “ , mos i merrni për të vërtetën e kulluar. Edhe pse ndarja e pestë e ka rritur dozën e tradhëtisë midis palëve, pale kur kujton fjalët e drejtorit Olsi Rama se Dalipi do të marrë postin e Starovës meqë “pusi” i mësuesit duket i shterruar, kurse nxënësi i tij, Dalipi, do të ndryshojë stërvitjen fillimisht, e pastaj dhe fytyren e lojës..
Edhe pse Sulejmani i është “vrarë” dhe ka rilindur pesë herë nga goditjet e “demit” të cilin vetë e ka mësur të godasë, deklarata e Ramës është më e hidhur se një kupë me helm. Helm kaq paralizues, sa Sulejmani më rebel midis Sulejmanëve të topit, nuk e tha dot publikisht se koka e tij është edhe kurbani që e kërkojnë zotat e fronit. Tamam tamam , presidenti që u bë Duk , fati i të cilit do të kishte qënë krejt ndryshe, edhe në të mirë të futbollit, nëse Starova 16 vite më parë, nuk do të kishte tradhetuar shijet morale, vetëm për t’i vënë kurorë “mbretit”, që sot ka pamjen e ekzekutorit të tij..
Sfidanti.al