Lojtarët apo tifozët, kush fiton tek Barça për Nejmarin?!

Tifozët e kanë dhënë mendimin e tyre dhe kanë të drejtë: Nuk duam që Nejmar të kthehet tek Barcelona. Mënyra sesi ai u largua, pa pyetur fare për ndjenjat e tyre dhe duke e lënë në baltë ekipin, nuk mund të falet. Lojtarët, ndërkaq, kanë mendim tjetër. Javën që kaloi Ivan Rakitiç, ndërsa dje Filip Kutinjo, bënë ftesë të hapur që “Ney” të bëjë “prapaktheu”.

“Do të jetë shumë mirë që Nejmar të jetë përsëri tek ne”, – tha braziliani për brazilianin. E kotë të pyetet për mendimin e “pleqve” të tjerë të ekipit. Lionel Mesi, Gerard Pike e Luis Suarez kanë bërë foto me ish-shokun e tyre, edhe në kohën kur ai do të largohej (dhe ishte në luftë me klubin e tifozët), edhe pasi kaloi tek PSG-ja.

Gjithsesi, Parisi nuk do të dorëzohet kaq lehtë. Presidenti Naser Al Helaifi udhëtoi me ngut për në Brazil, ku u takua me Nejmarin e operuar pas dëmtimit në ndeshjen e kampionatit francez. Misioni brazilian i Al Helaifit ishte për të bindur yllin e tij që të mos mendojë largimin, pasi PSG do të përforcohet për të fituar sezonin tjetër. Në fund të fundit, mesa kuptojmë, Barcelona nuk mund t’i ketë paratë për të marrë Nejmarin, pasi do të duheshin ndoshta 400 milionë euro.

Sfidanti.al