Murinjo ka disa fjalë për De Gean dhe Rashfordin

Me Frank De Burin mbaroi punë lehtë, duke e quajtur “trajnerin më të keq në historinë e Premier Ligës”. Holandezi kritikoi portugezin që e lë shpesh jashtë ekipi Markus Rashfordin, autorin e dy golave ndaj Liverpulit, dhe Zhoze Murinjos kjo nuk i pëlqeu. Gjithsesi, ai pati disa fjalë edhe për Realin e Madridit dhe David De Gean.

“Nëse unë do të isha në vend të drejtuesve të Realit, tani do të isha duke kërkuar për portier tjetër”, – ishin fjalët në stilin e vërtetë të tij. Zhoze u pyet përpara ndeshjes në Champions, për fatin e portierit të tij, dhe përgjigja ishte e prerë se De Gea nuk lëviz nga “Old Trafordi”. “Ne po ndërtojmë një skuadër që të fitojë tituj, dhe jo që të shesim lojtarët për të fituar para”, – theksoi trajneri i Mançester Junajtidit.

Sa për Rashfordin, është e vërtetë që Murinjo e lë shpesh në stol, apo edhe në tribunë, ndërsa talenti i tij nuk diskutohet. Mesa duket kjo është vështirësia kur ke disa lojtarë shumë të mirë në fazën sulmuese, si Lukakun, Rashfordin, Lingardin, më parë Ibrën e Mkitarianin, tani edhe Aleksis Sançezin, por edhe kur luan futboll të kujdesshëm si Murinjo.

Ja, për ta mbyllur, edhe një “perlë” tjetër për De Burin: “Ai tha se unë nuk jam trajner i mirë për Rashfordin, sepse për mua gjëja kryesore është që të fitoj, por nëse ai do të kishte qenë trajner i Rashfordit, do ta kishte mësuar sesi të humbiste, pasi humbi çdo ndeshje”.

Sfidanti.al