Nuk ishte nga ato ndeshje ku thuhet me plot gojën “fitoi më i miri”. Përkufizimi i duelit të shkëlqyer të “Uemblit” në Champions, mes Totenhemit e Juventusit, është “fitoi përvoja përballë bukurisë së futbollit”, ku për italianët vlejti historia e gjatë, ndërsa për anglezët prishi punë pikërisht mungesa e kësaj historie.
Nëse Juventusi nuk është përballë Mançester Junajtidit apo Liverpulit, gjithnjë ekziston mundësia që të kualifikohet ndaj ishullorëve edhe duke mos luajtur mirë. Në Londër, Spërsat patën epërsi, duke e kontrolluar ndeshjen totalisht deri në minutën e 64-ët kur shënoi Higuaini, por edhe pas minutës së 67-të kur realizoi Dibala.
Nuk ishte vetëm goli i koreanojugorit Son, por e gjithë loja e vendasve që tregoi epërsinë e një kampionati shumë më modern siç është Premier Liga. Totenhemi pati 23 gjuajtje drejt portës ndaj 9 të Juves, dhe 6 në kuadrat ndaj 3 të miqve. Italianët barazuan në goditjen e parë në kuadrat, dhe shënuan golin tjetër me goditjen e dytë.
Gjithsesi, për të fituar në futboll duhet të shënosh dhe jo vetëm të luash mirë, por këtë gjë Totenhemi nuk e bëri siç duhet. “Ishin tri minuta çmendurie të vërtetë, – komentoi për BBC-në, ish-sulmuesi Kris Saton, – Totenhemi ishte në kontroll të plotë. Juventusi gjithnjë përlqen të mbrohet, dhe u mbrojt sikur po mbronte jetën e vet, duke ia arritur qëllimit”.
Kampionët e Italisë janë në çerekfinale, e vetmja skuadër nga Apeninet që ia del, ndërsa londinezët e Harri Kejnit nuk shfrytëzuan siç duhet as barazimin 2-2 të ndeshjes së parë në Torino, dhe as nivelin më të lartë që patën në “Uembli”. Në fund të fundit, mungesa e përvojës “nuk ka brirë”.
Sfidanti.al