Në formacion pati 6 ndryshime në krahasim me ndeshjen ndaj Çelsit të dielën. Pep Guardiola fare mirë mund ta arsyetojë kështu humbjen e skuadrës së tij ndaj Bazelit në Champions, por trajneri katalanas nuk është “I gatuar prej këtij brumi”. Me siguri, lojtarët e Mançester Sitit kanë pësuar një “dush të ftohtë” pas disfatës 1-2 ndaj kampionëve jo aq shumë të shquar të Zvicrës, edhe pse çerekfinalet nuk u vunë kurrë në diskutim.
Që nga minuta e parë luajtën portieri Bravo, mbrojtësit Zinçenko e Stouns (që ishte lënë në stol disa kohë), pastaj Jaja Ture, Foden dhe Gabriel Zhezus, që u kthye nga dëmtimi. Edhe zëvendësimet bënë që të dilnin në fushë Diaz dhe Adarabiojo, pra lojtarë të rinj e pa përvojë. Man. Siti kaloi i pari në epërsi në minutën e 8-të me anë të Gabriel Zhezusit, që realizoi për herë të parë që nga 18 nëntori, pasi ishte i dëmtuar.
Bazeli tregoi karakter, ndërsa “luftëtari” shqiptar, Taulant Xhaka këtë herë nuk ishte fare në përbërje të skuadrës. Eljunusi barazoi në 17’ dhe Lang i dha fitoren 2-1 zviceranëve në 71’, duke treguar gjithë krenarinë e një ekipi tipik të Championsit, edhe pse i “sërës së madhe”. Guardiola me siguri u ka thënë lojtarëve të tij se nëse bëjnë këto gabime ndaj më të mirëve në Europë, eleminimi është i sigurt.
Sfidanti.al