Gjoka si viktimë e sistemit, dhe hipokrizia e pushtetit të futbollit!

Nëse nuk do të ishim në realitetin shqiptar, por në ndonjë jetë ideale si ato të filmave të Bad Spenserit, do të njihnim më mirë sa e sa personazhe që dalin e bëjnë moral nëpër media, dhe do ta kuptonim më mirë se në çfarë futbolli bëjmë pjesë. Sulmi me thikë ndaj Ernest Gjokës në mes të fushës së stërvitjes në Shkodër ishte jo vetëm turp dhe tronditje, jo vetëm tmerr për trajnerin që e përjetoi, por edhe dështim i atyre që drejtojnë futbollin në Shkodër.

Administratori Gjyrezi doli e deklaroi se ishte hera e parë që kjo ndodhte në qytetin e tyre, veçse shumë e shumë shkodranë të thonë me zë të lartë se “jo, nuk është hera e parë”, se trajnerëve u kanë dalë edhe me armë, jo më me thikë, se Bashkia e Shkodrës është informuar hollësisht, dhe se nuk ka marrë asnjë masë.

Po përse Bashkia nuk ka marrë masa? Sepse, të thonë në Shkodër, tek Vllaznia po u bëjnë nder njerëzve të politikës që kanë siguruar vota në zgjedhjet e përgjithshme apo vendore, dhe dihet mirë se çfarë niveli kanë ata që sigurojnë vota. Për ta, thika apo pistoleta janë mjet pune, siç mund të jetë kompjuteri, çelësi i makinës apo veglat e mekanikut, elektriçistit apo hidraulikut.

Një ish-trajner i Vllaznisë thotë se ka shumë nga ata të ashtuquajtur lojtarë që janë afruar në ekip, në mënyra të tilla, që duan të luajnë me patjetër (dhe pastaj habitemi se përse Vllaznia rrezikon të bjerë). Veçse, në Shkodër të thonë se nuk është vetëm qyteti i tyre kështu, por dallimi është se Vllaznia është mall pa zot, pra klub i bashkisë, prandaj i fusin hundët të gjithë.

Gjoka u përpoq të ruajë parimet e profesionit dhe u godit! Imagjinoni sesa trajnerë të tjerë të çdo niveli, nga fëmijët e deri tek Superliga (pa folur për kategoritë më poshtë) janë nën një presion të tillë dhe detyrohen të hapin rrugë përditë. Meqë çdo e keqe e ka një të mirë, të paktën tani e dimë se nuk jetojmë në “futbollin më të lumtur në botë”, që “njeh vetëm suksese”, por në futbollin e interesave të politikës apo krimit dhe që nuk do të ngrejë kokë kurrë, por do të “hajë bijtë e vet”!

Sfidanti.al