Kërcyesi japonez nga trampolina, Noriaki Kasai, tanimë, ka hyrë në historinë e olimpiadave dimërore, ndërkohë që planifikon të kërcejë edhe në Lojrat Olimpike Dimërore të radhës që do të zhvillohen në Pekin, më 2022, kur pritet që të jetë 49 vjeç.
“Unë e them me siguri se do të shkoj edhe në Pekin që të kërcej nga trampolina, madje, për këtë kam bindur edhe familjen time. Jam paksa i shqetësuar që nuk fitova ndonjë medalje në këtë olimpiadë, por, sidoqoftë, kjo gjë më nxit që të shkoj në Pekin mbas katër vitesh”, vuri në dukje Kasai, duke shtuar se as mbas Pekinit ai nuk ka ndërmend që të dalë në “pension”, por se do të synojë që të marrë pjesë për të 10-tën herë me radhë!
Kasai ka debutuar në Lojrat Olimpike të Albertvilit, më 1994, katër vite më vonë, mori pjesë në Lilehamer, ku fitoi medaljen e argjendtë, në përbërje të ekipit, në kërcimin nga trampolina e madhe. Në Soçi, ai fitoi edhe dy medalje të tjera, një të argjendtë individuale dhe një të bronzit në përbërje të ekipit. Në Rusi, ai u bë fituesi më i moshuar (41 vjeç e 254 ditë) i medaljes në konkurrimet individuale dhe ekipore, ndërkohë që, tani, në Pjongçang, ai vendosi një rekord më vete, jo vetëm se mori pjesë për herë të tetë në një olimpiadë, por edhe sa i pëket numrit të starteve në konkurrimet individuale dhe ekipore (6 plus 15).
Sfidanti.al