Lajm i keq për Bajernin, Hames Rodrigez mund të mungojë gjatë

Doli nga fusha pikërisht në momentin kur skuadra e tij kaloi në epërsi, dhe nuk u kthye më. Hames Rodrigez, një nga më të mirët në fushë për Bajernin ndaj Beshiktashit, pati një dëmtim pikërisht atëherë kur Tomas Myler shënoi golin e parë për bavarezët dhe trajneri Jup Hajnkes u detyrua ta zëvendësonte.

Duhet të pritet vizita mjekësore për të parë shkallën e lëndimit, por ekziston frika se kolumbiani i marrë hua nga Reali, mund të ketë diçka serioze. Në media pati humor për daljen nga fusha të Hamesit, pasi u shkruajt dhe u tha se ai u largua nga një goditje e fortë me top në fytyrë që mori nga shoku i skuadrës, Myleri. Ishte vetë trajneri Hajnkes që sqaroi se bëhej fjalë për dëmtim muskulor. Një lajm i keq për Hajnkesin dhe tifozët, pasi Rodrigez ishte një nga lojtarët më të mirë të sezonit për kampionët e Gjermanisë.

Sfidanti.al