U largua njëri, por mbeten të tjerët. Nëse do të luanim me tituj filmash, Liverpuli ngjante me “Ata ishin katër”, ndërsa tani është si “Tre mosketierët”. Në fushën e Portos, skuadra spektakolare e trajnerit Jurgen Klop ishte anglezja e radhës që habiti Europën, duke hipotekuar çerekfinalet e Championsit me triumfin 5-0.
“D’Artanjani” Mohamed Salah ia la qendrën e skenës një “mosketieri” tjetër, pikërisht Sadio Manesë, autor i tre golave. Bashkë me Firminon që të tre “të mrekullueshmit” e gjetën rrugën e rrjetës, ndërsa Salah tregoi klasin e tij special tek goli që shënoi vetë.
Nuk pati as më të voglën histori në “Estadio do Dragao” ku portugezët e kuptuan që në fillim se diferenca ishte e frikshme. Nuk mund të ishte ndryshe me një ekip që shpenzon 85 milionë euro për të blerë një mbrojtës, dhe që arkëton 160 milionë euro për transferimin e yllit kryesor Filip Kutinjo.
Ndër 8 ekipet më të mirë të Ligës së Kampionëve janë që tani Mançester Siti e Liverpuli, dhe shanse të mëdha ka edhe Totenhemi. Nëse edhe Mançester Junajtid bën detyrën, atëherë anglezët kanë mundësi të llogarisin gjysmën e çerekfinalistëve, gjithnjë duke mos i dhënë shumë mundësi Çelsit përballë Barcelonës.
Atëherë do të kishim Anglinë përballë gjigandëve Real, Barcelona, Bajern, ndërsa në lojë do të ishin edhe Shahtar Donjeck apo Roma.
Sfidanti.al