Jo vetëm fanela, Reali fitoi se ishte më shumë skuadër se PSG-ja!

Fanela është e rëndë, dëgjohet të thuhet për Realin e Madridit. Padyshim, që po, aq më shumë kur fiton 3-1 ndeshjen e parë në Champions ndaj “të fortit” të ri në “lagje”, siç është Paris SG. Gjithsesi, triumfi i merituar e duke treguar karakter, erdhi jo vetëm prej fanelës dhe përvojës, por edhe prej yjeve që madrilenët kishin në fushë.

Me Ronaldon që shënoi dy gola, me Marselon artist cirku, me Luka Modriçin e Toni Krosin, gjigandë në mesfushë, me Ramosin e Varanin në mbrojtje dhe me “magjistarin” Isko pranë sulmit, Zidan padyshim që kishte shpresa për gjëra të mëdha. Aq më tepër, kur ke luksin të mbash në stol Garet Bejlin e marrë për 100 milionë euro, dhe dy të rinj klasi si Marko Asensio e Lukas Vaskez.

Ky është Reali, për të cilin nuk duhen besuar renditjet e skuadrave më të shtrenjta të botës, që e nxjerrin në vend të pestë apo të gjashtë.

Paris SG padyshim që mbetet një ekip shumë i mirë, por nuk mjafton të bësh “shoë” me transferimet për të krijuar një skuadër të madhe të Championsit. Vjet, pa Nejmarin (madje si kundërshtar) dhe pa Mbapenë, parizienët mposhtën 4-0 Barcelonën po në këtë tur, në të dytin, duke u eleminuar krejt pa fat dhe prej ndikimit të arbitrit në “Kamp Nou”.

Edhe pse Al Helaifi shpenzoi 400 milionë euro për dy lojtarë, kjo nuk u përkthye në futboll më të madh. Ndryshe nga Roman Abramoviçi, Al Helaifi la në plan të dytë trajnerin, dhe pagoi “haraçin” në “Bernabeu”.

Natyrisht, Reali ende nuk është kualifikuar, pavarësisht se shifrat 3-1 i japin një avantazh të madh për ndeshjen e dytë në “Park dë Prensis”. Edhe mënyra sesi fitoi, duke përmbysur rezultatin pas golit të Rabiosë për francezët, ishte kuptimplotë. Triumf duke gjuajtur 17 herë drejt portës (12 PSG) e 8 herë në kuadrat (4 PSG), me 11 goditje nga këndi ndaj 4 të kundërshtarit

Sfidanti.al