Asambleja përfundoi, por jo “llogaritë” që mbeten të hapura. Do të ketë sërish një përballje Duka-Fino, tashmë në fushën e lojës, mes dy ekipeve që simbolizojnë dy kandidatët për president të FSHF-së. Në Korçë, në 18:00, luhet Skënderbeu-Flamurtari, dhe skuadrat janë në llogoret e tyre që ndodhen përkundër njëra-tjetrës.
Ishte Flamurtari që propozoi Finon për president, ndërsa Skënderbeu gjatë gjithë këtyre viteve njihet si ekipi më i dashur i Dukës dhe i FSHF-së, që nga 2010-ta e deri më sot. Në 2011, vlonjatëve iu hoq nga dora pa të drejtë një titull thuajse i fituar, kur një aleancë e vërtetë ndihmoi bardhekuqtë që të dilnin kampionë, ndërsa këtë sezon ata mbeten më të persekutuarit nga gjyqtarët.
Kjo modë, ky “trend” (ta themi në gjuhë të huaj, siç kanë qejf ca e ca) padyshim që do të vazhdojë, pasi në futbollin shqiptar është më keq se në politikën shqiptare, ku ai që zgjidhet president ka fuqi thuajse totalitare. Siç thoshte Prof. Dr. Albert Karriqi, “në Shqipëri nuk mbrohet pakica, pasi kandidati që humbi në votim, Fino, mori 40 për qind të votave, por nuk ka asnjë njeri të tijin në Komitetin Ekzekutiv, pra vullneti i “popullit të futbollit” nuk u pasqyrua në organet drejtuese të Federatës”.
Për fat të keq, Flamurtari nuk ka arritur kurrë të ketë aleat, madje as në kohën e “xhaxhit”, kur Vlora vlerësohej shumë si krahinë e luftës. Atëherë ishin Partizani e Dinamo, sot janë me radhë Tirana, Vllaznia dhe vitet e fundit Skënderbeu.
Sfidanti.al