Mesi-Kutinjo, a është Barcelona sërish “Ekipi i Ëndrrave”?!

Në fund të takimit, futbollistët e Valencias panë njëri-tjetrin në sy, duke mos qenë të sigurt në vetvete. Kishin zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të sezonit, një të tillë që zakonisht të jep fitoren, por përfundimisht kishin dalë të eleminuar nga fusha e lojës. Gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Mbretit u duk si një ëndërr, pasi shpirti luftarak, karakteri i fortë, vullneti, loja kolektive dhe cilësia nuk u pasqyruan aspak në rezultat: Valencia-Barcelona 0-2 (0-3)! Tani, kur kanë kaluar disa orë nga vërshëllima e fundit e gjyqtarit Undiano, valencianët besohet se e kanë kuptuar.

Përballë tyre ishte një Barcelonë që falë parave të shpenzuara, dhe falë disa cilësive krejt të veçanta që i ka vetëm ajo, po kthehet sërish në “Ekipin e Ëndrrave”. Ashtu siç ishte me Krujfin në stol, dhe me Romarion, Stoiçkovin e Ronald Kumanin në fushë, siç ishte me Guardiolën dhe treshen magjike Mesi-Ksavi-Iniesta.

Sot, loja ndoshta nuk është ajo tiki-taka që të merrte mendjen, por përbërja dhe kompetenca e trajnerit Valverde e bëjnë Barçën “të çeliktë”. Mesi, Kutinjo, Dembele (mungoi mbrëme), Suarez, Iniesta, Buskets, Zhordi Alba, Ymtiti, këta ishin lojtarët që vallëzuan në “Mestaja” pa u lodhur aq shumë, ndërsa topi u duk sikur ishte “privatisht” dhe “përjetësisht” i tyri.

Plot 160 milionë euro u shpenzuan për Kutinjon, ndoshta 120 milionë për Dembelenë, dhjetëra milionë për Paulinjon, ndërsa për Mesin nuk mund të ketë faturë që të duket e denjë për klasin e tij. Barcelona është në finalen e Kupës së Mbretit për herë të pestë radhazi, dhe kërkon trofeun e katërt po radhazi, si dhe të 30-in (rekord) në histori. Barcelona është e shkëputur në krye të La Ligës dhe e pathyer ende, ndonëse jemi në shkurt, si dhe është favorite në Champions.

Sfidanti.al