Ronaldo i “pavdekshëm” mbushi 33 vjeç dhe feston shifren bilblike 

Një nga futbollistët më të mirë të historisë së futbollit, Kristiano Ronaldo, mbushi, ditët e fundit, 33 vjeç. Më 5 shkurt 1985, në qytetin portugez, Funshal, u lind Kristiano Ronaldo dos Santos Aveiro që u rrit në një familje modeste, duke e bërë atë të vetëdijshëm se ai duhet të bënte përpjekje të mëdha, nëse donte që të arrinte diçka. Midis cilësive të tij të jashtëzakonshme futbollistike, dallohen puna e mundimshme për zhvillimin e tij sportiv dhe ambicia mjaft e fortë për arritjen e sukseseve. Kur ishte 12 vjeç, ai u largua nga vendlindja për në Lisbonë, duke e çarë vetë rrugën drejt lavdisë. Shumë shpejt, ai u vu re nga Aleks Fergusoni gjenial, duke bërë “kërcimin” nga Sportingu për te Mançester Junajtidi. Shumëkush e konsideroi këtë hap si shumë të madh dhe të zgjedhur. Kristiano, në “Old Trafford”, nisi ta lartësojë emrin e vet me cilësitë e tij fenomenale futbollistike.

Qëkur fitoi, për herë të parë, “Topin e artë” dhe Ligën e Kampioneve, ai u orientua drejt një sfide të re e të fortë, të luante me klubin më të famshëm të botës, Realin e Madridit. Që nga viti 2009, Ronaldo ka thyer rekord mbas rekordi me bluzën e klubit “mbretëror”. Ai e ka fitur tri herë Ligën e Kampioneve me Realin midis viteve 2014 dhe 2017. Sidoqoftë, suksesi më i madh i tij është fitimi i Evropianit me Portugalinë e tij, më 2016. Po ashtu, Ronaldo ka arritur ta fitojë pesë herë “Topin e artë”, një rekord më vete, duke iu treguar kritikëve të tij se ai është një rival i denjë i Lionel Mesit. Shumë i pëlqyer, por edhe fort i urryer, Kristiano, gjithnnjë, tregon se është një njeri me karakter dhe është në gjendje të dalë nga situatat me të vështira, duke dëshmuar sesa luftëtar i madh është ai. Në moshën 33 vjeç, ai ka arritur gjithçka, por do akoma, akoma dhe akoma!

Sfidanti.al