Tifozët e Totenhemit, prej një kohe të gjatë, i shqetësonte thashethemi se Hari Keini ishte tifoz i fshehtë i Arsenalit, por, sidoqoftë, ishte vetë ky futbollist që e zbuloi të vërtetën. Shkak për këtë thashethem është një fotografi e vjetër, ku Keini bashkë me një shok të tij tregohen, në kohën e fëmijërisë së tyre, të veshur me bluzën e Arsenalit. Sidoqoftë, nuk është ndonjë e fshehtë e madhe se Keini, dikur, kur ishte fare i ri, është stërvitur te rivali “gjaksor” i Totenhemit, Arsenali, por, po ashtu dihet, se atij, pa mbushur 10 vjeç, i “dhanë duart” nga ekipi i “topçinjve”, pasi e konsideruan pa të ardhme, pra, të patalentuar! Që atëkohë, kur luan kundër Arsenalit të Arsen Vengerit, Keini sikur ka një barrë të rëndë mbi supe, sepse duhet të tregojë sesa vlen ai në të vërtetë dhe se atë e hoqën padrejtësisht nga Arsenali.
“Mund të duket qesharake, por, gjithnjë, sa herë që luaj kundër Arsenalit, në mend më vjen mendimi: ‘Mirë, hajde ta shohim, se kush ka të drejtë dhe se kush e ka gabim’. Në fakt, ai refuzim që më bënë mua, më doli shumë mirë”, vuri në dukje, ditët e fundit, sulmuesi fantastik “pjellor” i Totenhemit, Kein, në një prononcim para medias. Në fakt, refuzimi i tij nga Arsenali nuk ka qenë i vetmi shkak që e ngarkoi atë me inat dhe e bëri që të përpiqej që të bëhej sa më i mirë. Ai luajti pa sukses, si i huazuar, te Lester Siti, ndërkohë që, më parë, kishte luajtur Lejton Orientin, Miluollin dhe Noruiçin, po ashtu, si i huazuar.
Sfidanti.al