Lebron i jep fund vuajtjeve të Klivlendit … për momentin!

Gjigandi mbetet gjigand edhe kur është në pikë të hallit. Lebron Xhejms nxorri dy aksione prej arsenalit të tij të lavdishëm, duke siguruar një fitore jetike për Klivlend Kavaliersët në NBA. Në sekondat e fundit, ai bllokoi gjuajtjen e Xhimi Batlerit, gjuajtje që mund ta kishte fituar ndeshjen për Minesotën, ndërsa kur kishin mbetur edhe 1.3 sekonda deri në fund, mori një pasim të gjatë dhe realizoi gjuajtjen e fundit të ndeshjes, pikërisht përballë Batlerit.

Koshi i Xhejmsit bëri që Klivlendi të fitonte 140-138 në fushën e tij, pas kohës shtesë, fitorja e 7-të në 20 ndeshjet e fundit. Për 8 ndeshje radhazi që transmetoheshin në Tv, Kavaliersët kishin humbur, ndërsa tani kjo seri u ndërpre. Lebron realizoi një tripëll dabëll me 37 pikë, 10 topa në tabela e 15 asistë, ndërsa luajti për 48 minuta, një kohë tepër e gjatë për moshën e tij 33-vjeçare.

Gjithsesi, ishte e domosdoshme që ai të ndodhej në parket, pasi Minesota luajti shumë mirë, sidomos falë dy yjeve të saj kryesorë, Xhimi Batler dhe Karl-Entoni Tauns. Batler shënoi 35 pikë, kapi 5 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, si dhe vodhi dy topa, ndërsa Tauns shënoi 30 pikë dhe kapi 10 topa në tabela. Klivlendi është në vendin e tretë në Konferencën Lindore me 31 fitore e 22 humbje.

Sfidanti.al