Crvena Zvezda e Beogradit, mbas dy dekadash e gjysmë, po përjeton sezonin e saj të ëndrrave, pasi ka siguruar një pranverë evropiane, ndërkohë që, mbas afro një jave, atë e pret ndeshja e parë nga dy të tilla me CSKA-në e Moskës në Ligën e Evropës. Ish-kampionia e Evropës, më 1991, ky ekip beogradas është bërë i “pakapshëm” në Superligën serbe dhe ndodhet në rrugën e duhur për ta fituar edhe një herë tjetër titullin e kampionit të vendit. Po ashtu, ky klub serb mund të mburret, tani, se e ka përgjysmuar borxhin e vet të madh prej mëse 50 milionë eurosh, ndërkohë që është paralajmëruar se ai do të arrijë një marrëveshje të mirë sponsorizimi me kompaninë gjigante ruse, “Gazprom”. Gjithashtu, lajm i mirë është se UEFA ia hoqi Crvenës ndalimin që të luante në stadiumin e saj pa shikues, kështu që CSKA-në në “Marakanën” e famshme të Beogradit e pret një “ferr” i vërtetë!
Por, pavarësisht nga sa më sipër, drejtori i klubit “bardhekuq”, Zvezdan Terziç, i bëri të ditur medias serbe se futbollistët, gjatë të gjithë pranverës, do të luajnë pa para, pra, falas! Dhe lojtarët kanë pranuar që ta bëjnë këtë, pra, të luajnë pa u paguar.
“Nuk është hera e parë që Crvena Zvezda do të funksionojë pa para. Unë u thashë, krejtësisht hapur, lojtarëve se çfarë i pret lojtarët në pranverë. Unë e kuptova se ata nuk e dinë sesi financohet Zvezda, kështu që ua shpjegova atyre gjithçka me detaje, se nga i presim neve paratë dhe, më pas, i pyeta ata: ‘A jeni gati që t’i shtrëngoni dhëmbët dhe, deri në qershor, të luani pa para?’ Paratë do të vijnë më vonë, kur ato të vijnë, ato do të vijnë, në radhë të parë, te ju. E di që jemi të mbytur në borxhe, por ne bëjmë përpjekje që t’i shlyejmë ato. Këta djem janë profesionistë, kanë familje, ndërkohë që ata nuk fituan pak gjatë vjeshtës, kështu që para ata kanë. Ata më kuptuan dhe pranuan. UEFA, çdo tre muaj, na bën monitoring dhe ne i shlyejmë rregullisht detyrimet tona”, tha Terziçi.
Sfidanti.al