Kur burrat e futbollit nisën vrapin për të lëpirë faqet e lodhura të presidentit “supermen” ,në sallën si vagon treni të Asamblesë, sepse na u kujtuan fjalët e rapsodit të futbollit që i këndonte ndërkombëtareve të UEFA-s me vargjet :
“ Moj UEFA, moj zuzare, si s’të kuptova një herë për fare”. Nga njëra anë na dënon për trukime, nga ana tjetër na ndihmon në trukimin e “ndeshjes së madhe” . Tamam si një arbitër i porositur për të devijuar lojën, njeriu nga Ukraina, ishte gjetur si me qiri, pasi kishte edhe pamjen sikur vinte nga Shoqatat .Po, po, nga ato që lindin një herë në 4 vite dhe bëjnë golin në minutën e porositur.
Ku do të ndodhte në një vend tjetër, kur i huaji në rolin e mësuesit djallëzor , ndizet në fjalimin maratonë , sa ishte gati të merrte një fletë votimi, t’i vinte një kryq te emri Armand Duka dhe ta mbyllte: “ Mos kërkoni president tjetër, sepse këtë meritoni edhe për 4 vite të tjera”. Kur ishte Platini në fron, loja dinake e UEFA-s, krahasohej me mesfushorin që shikon nga e majta dhe pason nga e djathta. Tani, në kohën e sllovenit Ceferin, skema duket sulmuese po të besosh premtimin e tij solemn “ tolerancë zero ndaj trukimeve në futboll”. Një frazë që ka vlerën e një driblimi mes shalëve te besimtarve, sidomos kur dëgjon zv.presidentin e UEFA-s, që fliste edhe më bukur se vetë Duka për” magjinë” e kalimit ne Europian, për fushat dhe stadiumet që janë bërë dhe do bëhen, pa na treguar se me çfarë do t’i mbushim. Njeriu i UEFA-s nxitoi per të ikur me avion, duke mbajtur premtimin e dhënë se në tokën ku trukohet loja e madhe e zgjedhjeve, as nuk ia vlen bara qeranë të flitet për trukimet “e vogla” , ato të ndeshjeve. Ato të flamosura për të cilat UEFA akoma nuk paska mbaruar punë me ne, pasi nuk donte te prishte dasmën.
Sfdidanti.al