Cili është tmerri i Realit? Mbape-Nejmar ndaj mbrojtjes “blanko”

Emrat janë sugjestionues, Sergio Ramos, Rafael Varan, Marselo dhe Karvahal. Kjo është katërshja e mbrojtjes së Realit, veçse ajo, nga një siguri, është kthyer në një makth. Pësimi i dy golave në fushën e Levantes, për ligën spanjolle, bëri që të shpërthenin kritikat në rrjetet sociale dhe të kishte komente nga më të ndryshmit.

Komenti më i goditur padyshim ai ku shkruhej se “cili është tmerri më i madh për Realin? Nejmar dhe Mbape kundër mbrojtjes së Madridit”! Me 21 rrjeta të pësuara në La Liga, mbrojtja e “los blankosve” është shumë më e “shpuar” sesa ajo e Barcelonës (ka pësuar 10) dhe Atletikos (9), ndërsa është baraz me Getafen (21), Leganjesin (21) dhe shumë afër Bilbaos (23).

Si do t’ia dalë kjo mbrojtje përballë Paris SG në Champions, ekipit që ka shënuar 75 gola në ligën franceze, më shumë se çdo ekip i Europës (mbi Barcelonën dhe sidomos mbi Sitin)? Vështirë të jepet një përgjigje qetësuese, ndërsa shqetësimi është i madh pas rezultatit 2-2 në fushën e Levantes.

Golat e Ramosit dhe Iskos nuk mjaftuan, pasi vendasit barazuan dy herë, me anë të Emanuel Boatengut dhe Xhampaolo Pacinit, dhe Madridi mbeti në kuotën e 39 pikëve, ndaj 40 të Valencias e 46 të Atletikos, që janë rivalë të Realit në luftën për t’u kualifikuar për në Champions. Nuk bëhet fjalë për të kapur Barcelonën që ka 57 pikë.

Sfidanti.al