Humbja e djeshme me Sauthempton e komplikoi shumë të ardhmen e Interit në Europa League. Pas katër ndeshjeve të luajtura në këtë kompeticion, Interi ka vetëm tri pikë, ndërkohë që ka humbur po kaq ndeshje, ndaj Spartës së Pragës, izraelitëve të Hapoel Ber Sheva dhe mbrëmë në Angli.
Por nëse në portë nuk do të ishte Handanoviç, humbjet ndoshta do të ishin më të thella, pasi skuadra, pavarësisht ndërimit të trajnerëve sërish nuk prodhon lojë. Dje portjeri slloven ka pritur një tjetër penallti, por edhe e ka shpëtuar disa herë portën e skuadrës së tij. Ndërsa për 11 metërshat ka një rekord autentik, pasi me të djeshmen, Handanoviç ka pritur 35 gjuajtje nga pika e bardhë. Mëkat që Interi nuk po mundet të shfrytëzojë një aset të tillë.