Jaja Ture kërkon të vendosë paqen me Mançester Sitin. Prej kohësh futbollisti nga Bregu i Fildishtë ka qenë në qendër të polemikave të shumta për shkak të përplasjeve mes agjentit të tij Dimitri Seluk dhe trajnerit Guardiola. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Ture kërkon falje për gjithçka ka ndodhur këto javë.
“Dua t’i kërkoj falje stafit teknik dhe atyre që punojnë për Mançester Sitin në emrin tim dhe të atij që më përfaqëson”, shkruhet në mesazhin e Ture. “Ato deklarata nuk janë këndvështrimi im për skuadrën e personat që punojnë në klub”.
Në muajin shtator, Ture, u përjashtua nga lista e Champions dhe përfundoi madje edhe jashtë skuadre, një situatë që shkaktoi zemërim te Seluk, i cili në ditët e fundit e përkufizoi Guardiola-n si të keqen e Sitit. Por jo vetëm kaq, Seluk theksoi se Guardiola është një trajner që preferon të luajë me fëmijë dhe se nuk tregon respekt. Ndërsa, Guardiola e bëri të qartë se nëse Seluk nuk do të kërkonte falje, Ture nuk do të kishte më vend në skuadër. Në median britanike u fol shumë për Ture që ishte gati të shuante gjithçka dhe si përfundim, futbollisti doli me këtë mesazh paqeje.
“Kam respekt për Mançester Sitin dhe i uroj më të mirën” janë fjalët e Ture.