Ishte sërish një “tripëll dabëll”, një arritje që e shkëput edhe më shumë Rasëll Uestbrukun me “tokësorët” që luajnë sot basketboll dhe e afron me “perënditë në Olimp” që e kanë lënë me kohë këtë sport. Ishte gjithashtu një “tripëll dabëll” i hidhur, sepse numri 0 shënoi pak pikë dhe sepse Oklahoma u mund përsëri.
Uestbruk shënoi vetëm 16 pikë, duke gabuar thuajse gjithçka në fushën e vet ndaj Nju Orlinsit. Realizoi vetëm 7 gjuajtje për dy pikë nga 21 gjithsej, dhe vetëm 1 tripikësh nga 7, duke marrë vlerësim negativ. Kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 14 asiste, elementi më i mirë i ndeshjes për të, veçse Nju Orlinsi triumfoi 114-100. Rasëll nuk pati ndihmë as nga Pol Xhorxh, i lodhur që shënoi vetëm 15 pikë.
Në krahun tjetër, miqtë u mbështetën tek ylli i tyre kryesor, një basketbollist elegant dhe me parametra të rrallë fizikë dhe atletikë. Entoni Dejvis shënoi 43 pikë dhe kapi 10 topa në tabela.
Ishte një mbrëmje me emocione në NBA, ku Janis Antetokumpo realizoi koshin e fitores për Miluokin ndaj Nju Jorkut (92-90) kur kishin mbetur 1.2 sekonda deri në fund, ishte emocionuese me fitoret e Bostonit (119-110 ndaj Atlantës), Torontos (130-105 ndaj Portlendit) dhe të Golden Stejtit (119-104 në fushën e Sakramentos).
Sfidanti.al