Konte e ka “prerë” dhe s’ndalet: Do të kthehet në Itali?

Duket se Antonio Konte do të largohet nga Celsi dhe do të kthehet, në fund të këtij sezoni, në Itali dhe, sikurse qëndrojnë punët, nëse ai nuk do të vihet në krye të PSZH-së, ku kandidat i parë është Zinedin Zidane, atëherë, Konte do të marrë përfaqësuesen italiane. Federata italiane e futbollit ka një plan të madh, po përgatit që të bëjë revolucion në të gjithë nivelet. Konte do të jetë shtylla kryesore, ai nuk do të jetë vetëm selektor, por do të jetë edhe përgjegjës për funksionimin komplet të ekipit kombëtar italian. Në fakt, bëhet fjalë për një plan afatgjatë që ka si synim që ta kthejë Italinë në majën e futbollit evropian dhe botëror.

Sikurse vë në dukje media italiane, Antonio Konte është gati që ta pranojë një propozim eventual të federatës italiane të futbollit, ndërkohë që kandidat është edhe Roberto Mançini, por Konte, sidoqoftë, është opsioni nr.1. Celsi që drejton Konte, ndërkohë, nuk i ka aspak mirë punët, pasi, tanimë, ka dalë jashtë garës për ta mbrojtur titullin e Premier Ligës, ndërsa ka frikë se nuk do të mund të dalë midis katër ekipeve më të mirë të saj. Po ashtu, ekziston frika se ai do të mund të dalë jashtë garës edhe në Champions-in evropian.

Sfidanti.al