Të dielën shkatërroi Soshonë me shifrat 6-0, ndërsa të mërkurën nuk e pati problem të luante përsëri dhe të fitonte. Paris SG u kualifikua për në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës pas suksesit 2-0 në fushën e Amienit, edhe pse pati mungesa. Edinson Kavani dhe Havier Pastore ishin të dënuar nga trajneri Emeri për kthimin me vonesë nga pushimet e festave, dhe parizienët nuk e patën të lehtë të gjenin ritmin e duhur.
Kjo, edhe kur vendasit mbetën me 10 lojtarë që në minutën e 30-të, pasi portieri Regis Gurtner doli me karton të kuq pasi ndaloi dhunshëm Mbapenë pa hyrë mirë në zonë. Amien rezistoi deri në minutën e 53-të, kur Nejmar ktheu në gol penalltinë që fitoi po vetë. Ishte goli i 20-të i brazilianit me fanelën e PSG-së në të gjitha kompeticionet, ndërsa ka shënuar në çdo konkurrim. Goli i dytë erdhi në 78’ kur krosimi i Di Marisë nga kornia gjeti Adrien Rabionë që nuk gaboi. Paris SG vazhdon të luftojë për çdo trofe të mundshëm këtë sezon, ndonëse provën më të vështirë do ta ketë në shkurt në Champions, kur të ndeshet me Realin e Madridit.
Sfidanti.al