Një tjetër 2-2 në Kupë dhe mallkimi i “Bernabeut” vazhdon

Nuk u rrezikua aspak eleminimi, por për këtë Real çdo rezultat që nuk është fitore vetëm e rëndon gjendjen. Zinedin Zidan zgjodhi sërish me besnikëri ekipin B në Kupën e Mbretit, por formacioni të cilit ai i besoi nuk qe në gjendje ta çonte tek fitorja. Përfundoi 2-2 në “Santiago Bernabeu” ndaj Numansias (ndeshja e parë 3-0 për madrilenët), por publiku i shtëpisë nuk u bind aspak.

Karvahal, Vajeho, Naço, Kovaçiç, Lukas Vaskez, Asensio apo Majoral, edhe pse janë të vlerësuar nuk bënë dot më shumë se dy gola në portën kundërshtare, ndërsa pësuan dy në portën e tyre. Autor i rrjetave madrilene ishte Lukas Vaskez. Një 2-2 ishte edhe në raundin e kaluar, po në “Bernabeu” ndaj modestëve të Fuenlabradës dhe vërshëllimat në stadium ishin shumë të forta.

Reali kaloi në çerekfinale, në një kompeticion që mund ta fitojë, por duke mos bindur, ndërsa rezultatet e dobëta në kampionat janë diçka shumë e rëndë në këtë sezon.

Sfidanti.al