I humburi i vetëm në derbin Çelsi-Arsenal (0-0) është Uilsher

Xhek Uilsher doli i humburi i vetëm nga “Stemford Brixhi” pasi pësoi një dëmtim në pjesën e dytë të ndeshjes-derbi të Kupës së Ligës angleze, mes Çelsit dhe Arsenalit. Lojtari i Arsenalit pati probleme në kavilje dhe doli nga fusha në rreth minutës së 55-të.Përballja ishte e fortë, por më shumë me duele dhe ndërhyrje të ashpra, dhe më pak raste për gola. U duk se të dyja skuadrat ishin të lodhura nga sezoni dhe donin të ruanin sa më shumë forca për vazhdimin.

Në fund të fundit, ka edhe një gjysmëfinale tjetër, që do të luhet në “Emirejts”, ndërsa objektivat më të rëndësishëm janë në Premier, Kupën e Anglisë dhe në Europë. Në fund, Çelsi pretendoi për penallti, por gjyqtari vazhdoi lojën duke mos akorduar asgjë, ndonëse ai mund të ishte këshilluar me teknologjinë VAR, që po aplikohet në Kupën e Ligës.

Në pjesën e parë, gjyqtari Atkinson u këshillua me VAR-in për një pretendim të Arsenalit, por pamjet filmike i dhanë të drejtë atij, pasi nuk akordoi penallti. Tifozët në “Stemford Brixh”, gjatë kësaj pjese, si me shaka, thirrën në kor “V-A-R”. Në përfundim, barazimi 0-0 u duk rezultati më i drejtë, edhe pse Çelsi bëri më shumë presion, dhe pati ndonjë rast më shumë.

Sfidanti.al